UBT News

Kaq mallra të falsifikuara ka konfiskuar Dogana e Kosovës gjatë vitit 2024

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Pronësi Industriale ka shënuar Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se qeveria e ka kuptuar rëndësinë e pronësisë intelektuale, andaj atë e ka shndërruar në politikë publike konkrete.

Sipas saj, përmes markave tregtare kanë avancuar në ruajtjen e pronësisë intelektuale, derisa përmendi se janë zgjidhur 741 raste të shkeljeve ndër vite të markave tregtare.

Ajo theksoi se pronësia intelektuale është e rëndësishme në shekullin e teknologjisë dhe revolucionit industrial.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Driton Azemi, tha se vitin 2024 kanë pasur 148 kërkesa për veprim doganor në fushën e pronësisë intelektuale.

Po ashtu ai tha se në vitin e kaluar kanë konfiskuar mbi 272 mijë artikuj si mallra të falsifikuara me një vlerë të përgjithshme 12.5 milionë euro.

Dogana e Kosovës që nga fillimi ka marrë përgjegjësitë dhe rolin e saj me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe i ka kryer të gjitha detyrat e saj. Këtu po e veçoj se vetëm gjatë vitit 2024 ne kemi shqyrtuar 148 kërkesa për veprim doganor në fushën e të drejtave pronësisë intelektuale, ndërkaq 601 kërkesa që kanë të bëjnë me marka tregtare si dhe 40 kërkesa për të drejtat e autorit. Si rezultat i këtij angazhimi dhe falë bashkërendimit të ngushtë me të gjithë akterët të  tjerë relevant gjatë vitit 2024 Dogana e Kosovës ka iniciuar 805 raste për verifikimin e mallrave me dyshim për shkelje të pronësisë intelektuale. Ka arritur të konfiskojë mbi 272 mijë artikuj të cilët pas verifikimit janë konstatuar si mallra të falsifikuara me një vlerë të përgjithshme prej 12.5 milionë euro”, theksoi ai.

Krahas kësaj në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, u diskutua edhe për “Muzika dhe Pronësia Intelektuale: Krijimtaria, Institucionet dhe Mbrojtja Ligjore.

Exit mobile version