Gjashtë gjoba janë shqiptuar deri më tani për mosrespektim të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizim të orarit të punës. Inspektorati Qendror i Punës ka identifikuar raste ku punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë kanë vazhduar punën edhe në temperatura të larta. Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi bën të ditur se në kundërshtim me vendimin e qeverisë, kanë identifikuar edhe dy raste të shtatzënave dhe një me sëmundje kronike të cilët nuk janë liruar nga puna. Megjithatë, ai konsideron se ky vendim po gjen zbatim.
Për herë të dytë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për rikthimin e kufizimit të orarit të punës nga 14 deri më 17 gusht.
“Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për ndalimin e punës nga ora 11:00 deri në orën 16:00, si rezultat apo preventivë e sëmundjeve shëndetësore që mund të pasojnë punëtorët nga kjo valë e të nxehtit që po mbizotëron në vendin tonë, mund të them plotësisht që po gjen zbatim. Ky është vendimi i dytë këtë vit i Ministrisë së Shëndetësisë për reduktimin e orëve të punës për punëtorët që janë të ekspozuar ndaj diellit në ndërtimtari, gratë shtatzëna dhe punëtorët e tjerë kronik”…Për këtë periudhë 14-17 gusht, apo tash për dy ditë e para të zbatimit të këtij vendimi mund të themi se kemi shumë pak raste të identifikuara dhe shumë pak ankesa që kemi pranuar në Inspektoratin e Punës për t’i trajtuar ato. Dhe si rezultat i kësaj mund të them se ky vendim po gjen zbatim”, deklaron Nikçi.
Në gjithë Kosovën për dy ditë janë shqiptuar gjashtë gjoba për mosrespektim të këtij vendimi.
“Rastet që Inspektorati i Punës ka identifikuar ku është shkelur ky vendim janë të pakta dhe mund të themi se në rajonin e Pejës është evidentuar për këto dy ditë, 14 dhe 15 gusht, vetëm një rast në ndërtimtari. Në rajonin e Ferizajt gjithashtu është evidentuar vetëm një rast në ndërtimtari. Në rajonin e Gjilanit janë evidentuar tri raste, dy gra shtatzëna dhe një punëtor me sëmundje kronike dhe në rajonin e Prizrenit vetëm një rast në ndërtimtari. Në rajonet e tjera, pavarësisht vëzhgimit që inspektorët e punës po bëjnë çdo ditë në mbikëqyrje të implementimit të zbatimit të këtij vendimi nga subjektet juridike, nuk ka raste të evidentuara”, shton ai.
Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi thekson se në kryeqytet janë inspektuar 12 subjekte, por që nuk kanë vërejtur shkelje.
“Nga këto gjashtë raste që i përmenda që janë evidentuar në këto katër rajone, do të thotë për këto dy ditë, 14 dhe 15 gusht, kryeson ndërtimtaria…Kemi pasur raste në Prishtinë ku janë inspektuar 12 subjekte dhe nga këto 12 subjekte janë konstatuar që në këto subjekte ka pasur gra shtatzëna dhe punëtorë me sëmundje kronike por punëdhënësit i kanë liruar nga puna sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë”, përfundon ai.
Vendimi për kufizim të orarit të punës është marrë për shkak të temperatura të larta, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve./UBTNews/