UBT News

Kaq e pati! Microsoft njofton përfundimin e mbështetjes për Office 2016 dhe 2019

Kompania Microsoft ka bërë të ditur se mbështetja për paketat Office 2016 dhe Office 2019 do të përfundojë më 14 tetor 2025.

Pas kësaj date, përdoruesit nuk do të marrin më përditësime të sigurisë, asistencë teknike apo përmirësime të tjera për këto versione të njohura, të cilat ende përdoren nga shumë njerëz në mbarë botën.

Ky vendim vlen edhe për aplikacionet si Visio dhe Project, në versionet e viteve 2016 dhe 2019. Përdorimi i programeve pas këtij afati rrit rrezikun ndaj sulmeve kibernetike, problemeve me përputhshmërinë e dokumenteve dhe sfidave për t’u përmbushur standardet e sigurisë.

Microsoft këshillon përdoruesit të kalojnë te Microsoft 365 Apps, versioni me abonim që përditësohet vazhdimisht. Ata që preferojnë një blerje të vetme mund të zgjedhin Office 2024, i lançuar në tetor të vitit të kaluar për përdorues shtëpiakë dhe biznesorë.

Për kompanitë dhe institucionet që kërkojnë mbështetje, ekziston Office LTSC 2024, me mbështetje të garantuar deri më 9 tetor 2029.

Ekspertët e IT-së paralajmërojnë se vonimi në përditësimin e këtyre programeve mund të ketë pasoja serioze, duke përfshirë rrezikun për sigurinë e të dhënave dhe humbje të informacionit të rëndësishëm. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version