Dogana e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të dy personave sot në Ferizaj nën dyshimin për spiunim për BIA-n serbe, duke thënë se personi Bedri Shabani është pushuar nga pozita e tij në doganë 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.
Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Qe nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës, thuhet në sqarim.
Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë.
“Ne punojmë ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të mbështetur sigurinë kombëtare, në përputhje me misionin tonë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës në radhët tona”, përfundon komunikata për media.
Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale spiunimi.
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë personat e arrestuar sot nën dyshimin për spiunim për agjencinë e inteligjencës serbe BIA.
Arrestimi i tyre është bërë i mundur pas zbulimit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
Prokuroria ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Policia ka vazhduar me bastisjen e pronave të dy të dyshuarve, të cilët dyshohet se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Njëri prej të arrestuarve, Bedri Shabani, ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë. /UBTNews/