Kapitenja e varkës, Jennifer Dowker udhëton në ujëra gjatë gjithë verës, kështu që ajo i di të gjitha sekretet që fshihen në ujërat e Miçiganit, por u shokua nga një letër në shishe që e gjeti, që thuhet se u shkrua në vitin 1926.
Dowker është pronare e agjencisë “Nautical North Family Adventures”, dhe po zhytej në lumin Cheboygan të premten, kur e pa këtë mesazh.
Ka një koleksion të shisheve dhe gjësendeve tjera të cilat i ka koleksionuar gjatë zhytjes, dhe kjo shishe ia mori syrin.
Ajo thotë se shishja ishte e mbushur me ujë dhe mezi e nxori letrën nga shishja. Pastaj e mori dhe e lexoi. Shënimi datonte nga viti 1926 dhe shkruante:
“A do ta kthejë personi që e gjen këtë shishe te George Morrow, Cheboygan – Miçigan, dhe të tregojë se ku u gjet?”
Një mik i saj punon në muze dhe rekomandoi që këtë letër ta vendosin në frigorifer për t’u tharë.
Dowker tha se Cheboygan ishte një vend i vogël, kështu që ajo e postoi këtë fotografi në Facebook. Kur u zgjua mëngjesin e së shtunës postimi i saj ishte bërë viral – me mbi 100 mijë shpërndarje dhe 6 mijë komente.
Në Ditën e Baballarëve ajo u kontaktua nga vajza e autorit të tekstit, George Morrow, Michele Primeau. Kjo e fundit thotë se nuk ka Facebook, por u telefonua nga një i huaj që e kishte parë postimin e Dowker dhe i cili vendosi ta njoftonte edhe atë.
Ajo e njohu dorëshkrimin e babait të saj, ndonëse kjo letër ishte shkruar 20 vjet para se të lindte ajo.
Primeau thotë se ditëlindja e babait të saj ishte në nëntor, dhe mbase ai ka qenë 17 ose 18-vjeçar kur e kishte shkruar këtë letër dhe hedhur atë në Miçiganin verior.
Babai i saj kishte vdekur në vitin 1995, dhe ky shënim solli kujtime shumë të bukura te ajo./UBTNews