Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, E.V., ka përfunduar me sukses Kursin Kualifikues të Forcave Speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të njohur si “U.S. Army Special Forces Qualification Course”.
Kursi u zhvillua në “U.S. Army John F. Kennedy Special Warfare Center and School” në SHBA dhe zgjati më shumë se tetë muaj, nga janari deri në shtator 2026.
Gjatë këtij programi, kapiteni përfundoi trajnimin për kualifikimin “Green Berets”, i cili përfshin përgatitje të avancuar në taktikat e njësive të vogla, planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve speciale, si dhe kualifikimin “18A Special Forces Detachment Officer”. Programi përfshiu edhe ushtrimin përfundimtar “Robin Sage”.
Në përfundim të kursit, E.V. u vlerësua me titullin “Distinguished Honor Graduate”, si dëshmi e performancës së lartë profesionale, lidershipit dhe përkushtimit gjatë gjithë procesit të kualifikimit.
“Kjo arritje përfaqëson një sukses të rëndësishëm profesional dhe njëkohësisht dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve në fushën e operacioneve speciale, zhvillimin e kuadrove profesionale dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja vazhdojnë investimet në zhvillimin profesional të pjesëtarëve përmes edukimit dhe trajnimeve në institucionet ushtarake të vendeve partnere./A.K/
