Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka theksuar se institucionet po punojnë me sukses në çrrënjosjen e krimit dhe largimin e mbetjeve kriminale të Serbisë në Kosovë.
Komentet e ministrit Sveçla vijnë pas sekuestrimit të armëve dhe mjeteve të eksplozivëve si granatë dore, armë e gjatë, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike sot nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes në një lokacion në Uglar të Zubin Potokut.
Ministri Sveçla ka bërë të ditur se personi tek i cili janë gjetur këto armë e pajisje është arrestuar dhe lënda është proceduar në prokurori.
“Asnjë kompromis ndaj krimit, individëve apo grupeve që cenojnë sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë. Nuk do të ndalemi së punuari në mbrojtje të interesave tona shtetërore, siguri ndaj vendit e qytetarëve tanë, sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.