Një person është arrestuar të martën në Viti, pasi dyshohet se po fuste mall të kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se vlera e mallit të kontrabantuar, e që është proteina të llojeve të ndryshme, është rreth 18 mijë euro.
“Më 13.11.2023, Njësia e Task Forcës – Lindje gjatë zbatimit të detyrave sipas autorizimeve policore për parandalimin, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar kryes të veprave penale, ka ndaluar një automjet të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale R. T., tek i cili gjatë kontrollimit të mjetit janë gjetur të ngarkuara 43 paketa me mallra-suplemente (proteina) të llojeve të ndryshme me peshë rreth 210 kg, me vlerë sipas tregut rreth 18.000 euro, mall për të cilin nuk kishte asnjë dokument mbi prejardhjen e tij, i cili dyshohet se ishte kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga RMV-RKS”, thuhet po aty.
Bëhet e ditur se lidhur me rastin është kryer edhe kontrolli në një lokacion tjetër të dyshuar por nuk është gjetur sasi e mallrave tjera.
“Të gjitha veprimet rreth rastit janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli dhe automjeti janë dërguar në terminalin doganor-Dheu i Bardhë dhe rasti trajtohet tutje në procedurë të rregullt”.