Rezervistëve të parë rusë që do të dërgohen me forcë në vijën e frontit si pjesë e mobilizimit të pjesshëm të Vladimir Putinit u janë dhënë vetëm katër orë kohë për të paketuar valixhet si dhe për t’u ndarë me familjarët e tyre.
Sipas mediave të huaja, dhjetëra mijëra të tjerë kanë kërkuar të largohen nga vendi, me radhë të gjata disa orëshe në kufijtë e Finlandës, Gjeorgjisë dhe Mongolisë.
Në aeroporte, ata që kishin fatin të blinin një biletë aeroplani me një drejtim jashtë vendit përpara se të shiteshin, u ndaluan në radhë.
Një burrë i cili mundi të largohej nga Rusia tha se të gjithë burrat u ndaluan në aeroport dhe ju morën dokumentet.
“Të gjithë burrat tani janë ndaluar në aeroportin Sheremetyevo në Moskë, atyre ua kanë marrë dokumentet”, deklaroi ai.
Siç ishte bërë e ditur edhe më herët, çmimi i biletave të aeroplanit u rrit shumë pas njoftimit, me fluturimet për në Serbi të shitura plotësisht.
Ndërkohë, të mërkurën mbrëma, 1 mijë e 386 demonstrues kundër luftës u arrestuan në 38 qytete të ndryshme anembanë Rusisë, me protesta të tjera të planifikuara për sot.