Aktivistët e organizatës “Brezi i Fundit” kanë ndërprerë masivisht trafikun ajror në disa aeroporte të mëdha në Gjermani, duke shkaktuar kaos të enjten në mëngjes. Fluturimet në aeroportet e Köln-Bonn, Berlin dhe Nuremberg janë ndërprerë përkohësisht si rezultat i protestave, njofton Deutsche Welle.
Sipas organizatës “Brezi i Fundit”, dy nga aktivistët e tyre arritën të depërtonin në territoret e fluturimit të avionëve brenda këtyre aeroporteve. Protesta u përshkrua nga organizata si një “rezistencë paqësore”, duke theksuar se pistat e ngritjes dhe zbritjes së avionëve nuk janë prekur, por aktivistët janë ngjitur në zona të tjera të aeroportit ku lëvizin avionët.
Në aeroportin e Stuttgart-it është planifikuar gjithashtu një aksion proteste. Një zëdhënës i aeroportit të Köln-Bonn konfirmoi se disa persona kishin hyrë në territorin e fluturimeve, ndërsa Policia Federale raportoi se tre persona kishin depërtuar në aeroport, duke prerë një gardh rrethues.
Ndërkohë, në aeroportin BER të Berlinit, puna ka rifilluar pas ndërprerjes. Protestuesit janë larguar nga territori i aeroportit dhe janë ndaluar përkohësisht nga policia, e cila ka njoftuar se aktivistët mund të përballen me padi për prishje të rendit publik, dëmtime dhe ndërhyrje të rrezikshme në trafikun ajror.
Kjo është vetëm një nga seritë e protestave të fundit nga “Brezi i Fundit” në aeroportet gjermane, duke përfshirë edhe ato në Frankfurt mbi Main, Leipzig dhe Dortmund. Aktivistët po kërkojnë një kthesë të plotë nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile deri në vitin 2030, duke u përqendruar në nevojën për veprime urgjente për të luftuar ndryshimet klimatike./UBTNews/