Reperi amerikan Kanye West, i njohur edhe me emrin Ye, pritet të mbajë dy koncerte në Shën Petersburg të Rusisë gjatë muajit tetor.
Lajmi është bërë i ditur nga kanali në Telegram i Gazprom Arena, stadiumit ku parashihet të zhvillohen koncertet.
West është përballur gjatë këtij viti me anulimin e disa koncerteve dhe ndalimin e performancave në disa vende evropiane, pas një sërë deklaratash antisemitike, përfshirë lavdërimet për Adolf Hitlerin dhe përdorimin e simboleve naziste.
Në janar, reperi kishte kërkuar falje për deklaratat e tij, duke thënë se ato kishin qenë të lidhura me probleme personale dhe shëndetësore.
Nëse koncertet zhvillohen sipas planit, Kanye West do të jetë një nga emrat më të mëdhenj ndërkombëtarë të muzikës që viziton Rusinë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.
Dy koncertet janë planifikuar të mbahen më 10 dhe 11 tetor. Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, biletat më të lira, me çmim prej rreth 92 eurosh, janë shitur brenda vetëm një ore.
Ndërkaq, çmimi i biletave më të shtrenjta arrin deri në 1.600 euro./A.K/
