Reperi amerikan Kanye West, i njohur edhe si Ye, ka performuar para një audience masive në Stamboll, duke tërhequr më shumë se 100 mijë fansa në koncertin e mbajtur të shtunën mbrëma në stadiumin “Atatürk Olympic”.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, rreth 118 mijë persona kanë ndjekur koncertin e tij dyorësh, në atë që konsiderohet paraqitja e tij e parë në Evropë që nga viti 2014 dhe e para në Turqi.
Në mesin e publikut raportohet se kishte fansa nga Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Holanda, Italia, Rusia, Polonia dhe vendet e Lindjes së Mesme.
West ka qenë subjekt i anulimeve të shumta në Evropë vitet e fundit, pas deklaratave të tij antisemitike dhe publikimeve kontroverse, përfshirë edhe projekte muzikore që kanë ngjallur reagime të forta ndërkombëtare. Disa vende dhe festivale kanë refuzuar ta lejojnë performimin e tij, duke përmendur arsye të sigurisë publike dhe reagimit shoqëror.
Pavarësisht polemikave, ai pritet të vazhdojë turneun me paraqitje të planifikuara në Holandë në fillim të qershorit.
Në të kaluarën, West ka kërkuar falje për disa nga deklaratat e tij dhe ka deklaruar se ka ndryshuar qëndrim, duke përmendur edhe probleme shëndetësore si çrregullimi bipolar dhe një dëmtim të mundshëm të trurit si faktorë që kanë ndikuar në sjelljen e tij.
Koncerti në Stamboll vjen si një nga rikthimet e tij më të mëdha në skenën ndërkombëtare pas një periudhe të gjatë polemikash dhe anulimesh.
