UBT News

Kanye West humb gjyqin për shkelje të të drejtave të autorit

Reperi amerikan Kanye West (Ye) është shpallur fajtor nga një juri në SHBA për shkelje të të drejtave të autorit lidhur me këngën “Hurricane”.

Gjykata vendosi se ai përdori pa leje një instrumental të krijuar nga katër muzikantë në versionin e hershëm të këngës, pa marrë licencë apo marrëveshje zyrtare. Si pasojë, Ye dhe kompanitë e tij janë urdhëruar të paguajnë mbi 176 mijë dollarë dëmshpërblim, ndërsa shuma të ngjashme janë vendosur edhe për bizneset e lidhura me të.

Çështja lidhet me një demo të vitit 2018, të quajtur “MSD PT2”, që sipas paditësve u përdor në mënyrë të paautorizuar dhe u bë pjesë e procesit krijues të këngës. Muzikantët kanë argumentuar se nuk kishte as marrëveshje dhe as licencë për përdorimin e materialit të tyre. Gjatë gjyqit, pala paditëse pretendoi se kënga “Hurricane” dhe eventi i dëgjimit të albumit “Donda” gjeneruan miliona dollarë fitime, nga të cilat ata kërkonin pjesë. Nga ana tjetër, avokatët e Ye kanë thënë se muzikantët fillimisht kishin qenë të kënaqur me përdorimin e punës së tyre dhe se ai madje i kishte kredituar si bashkëautorë në një fazë.

Ky vendim shton edhe një tjetër rast ligjor në historinë e Kanye West, i cili më herët është përballur me padi të shumta për shkelje të të drejtave të autorit dhe polemika publike të ndryshme.

Exit mobile version