Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut dhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Natasha Kandiq, i është përgjigjur një qytetareje serbe që kishte fajësuar shqiptarët e Kosovës për fillimin e luftës.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Kandiq ka kundërshtuar këtë pretendim, duke theksuar rolin e forcave serbe në luftën dhe krimet e kryera në Kosovë.
“Nuk ka luftë pa Serbinë”, ka shkruar Kandiq, duke pretenduar se plani serb për Kosovën ishte zvogëlimi i popullsisë shqiptare në 5 për qind dhe se rreth 800 mijë shqiptarë u dëbuan.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se gjatë 78 ditëve, nga 24 marsi deri më 12 qershor 1999, policia dhe ushtria serbe vranë rreth 7 mijë civilë shqiptarë që, sipas saj, nuk kishin marrë pjesë në konfliktin e armatosur.
Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe FDH-Kosovë dokumentojnë 6,872 civilë shqiptarë të vrarë nga forcat serbe në periudhën 20 mars–14 qershor 1999, ndërsa ICTY ka konstatuar se mbi 800 mijë civilë shqiptarë u deportuan.
Kandiq ka ngritur gjithashtu çështjen e ndjekjes penale në Serbi të komandantëve të lartë të Ushtrisë Jugosllave dhe MUP-it për operacionet në Kosovë. Sipas saj, edhe 27 vjet pas luftës, nuk ka pasur ndjekje penale në Serbi ndaj komandantëve të lartë për këto operacione, pavarësisht fakteve të përcaktuara në aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Në reagimin e saj, Kandiq ka thënë gjithashtu se pakënaqësia e shqiptarëve ndaj vendimit të fundit në Hagë është e kuptueshme, duke kërkuar që përgjegjësit për krimet në Kosovë të mbahen përgjegjës./A.K/
