Hysni Mehani, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Skenderajt, është tërhequr nga gara e 17 tetorit.
Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë Mehani, përmes një postimi në Facebook.
“Kam paraqitur kandidaturën time me bindjen e thellë, se ajo çka i duhet Skënderajt është qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me konceptin, parimet dhe qëllimet e saj. Kur kam paraqitur kandidaturën time, ishim në një kontekst krejt tjetër. Dalja e dy fotove të Bacës Rifat, që në një formë nënkupton edhe mbështetje për kryetarin aktual Bekim Jashari, na vë në një dimension tjetër”, ka shkruar Mehani në Facebook.
“Fakti që nuk do të garojmë për kryetar, nuk nënkupton në asnjë mënyrë që i kemi falur apo harruar ato që kemi kaluar gjatë mandatit katër vjeçar si asamblistë. Ta mundësh Bekim Jasharin nuk është kurrfarë e arriture. T’i kontribuosh mundjes së Bekim Jasharit për ta kthyer PDK-në në qeverisje lokale është gabim dhe dëm. Ta mundesh Bekimin e Familjes Jashari është gabim i pafalshëm historik”, ka shkruar Mehani.
Mehani ka potencuar se nuk garon kundër familjes Jashari, por njëherit ka thënë se do të luftojnë fort në garën për asamble, për t’i larguar nga Kuvendi Komunal një grup ‘profiterash’ që sipas tij, e kanë keqpërdorur pushtetin e Bekimit për interesa personale e meskine.