Dy kandidatët që synojnë të zëvendësojnë Angela Merkelin për kancelar të Gjermanisë, kanë bërë thirrje për Bashkim Evropian më të fuqishëm, në debatin e fundit televiziv para zgjedhjeve që do të mbahen më 26 shtator.
Aleanca konservatore e Merkelit, Demokristiane/Kristian-Sociale (CDU/CSU) është prapa Social-Demokratëve të qendrës së majtë (SPD) në sondazhe, ndonëse dallimi është zvogëluar në ditët e fundit.
Në debatin e fundit televiziv më 23 shtator, të dy konkurrentët që duan ta zëvendësojnë Merkelin – Ministri i Financave dhe Zëvendës-kancelari, Olaf Scholz nga SPD dhe Armin Laschet nga CDU/CSU, kanë bërë thirrje për Evropë të fuqishme dhe sovrane.
“Neve na duhet më shumë Evropë, neve na duhet të flasim me një zë”, ka thënë Laschet, i cili është kryetar në landin North Rhine-Westphalia.
Scholz ka thënë se BE-ja duhet të jetë e bashkuar për të qenë relevante në skenën botërore dhe ka theksuar nevojën e bashkëpunimit me SHBA-në dhe NATO-n.
Ai ka thënë se nuk do të pajtohet me politikat radikale siç është largimi nga NATO-ja, si dhe është zotuar se do të rrisë shpenzimet për mbrojtje.
Annalena Baerbock, kandidate nga Partia e Gjelbër, ka bërë thirrje për politike të përbashkët të BE-së ndaj Kinës, “në mënyrë që të mos dalim kundër njëri-tjetrit”.
Ajo ka propozuar një kombinim të “dialogut” dhe “ashpërsisë” ndaj Pekinit.
Sondazhet kanë treguar se Baerbock ka përkrahje prej 16.5 për qind, duke i dhënë partisë së saj mundësi reale për t’u bërë partnere e koalicionit në qeverinë e ardhshme.
Sondazhet e televizionit ZDF, kanë treguar se Scholz ka përkrahje prej 25 për qind, derisa Laschet 23 për qind.
Merkel, e cila ka qenë në pushtet nga viti 2005, planifikon të mos jetë më pjesë e udhëheqësisë, ndonëse do ta mbajë pozitën e kancelares gjatë negociatave për koalicion.