Udhëheqësi konservator gjerman Friedrich Merz, me gjasë kancelari i ardhshëm i vendit, tha sot se dëshiron të presë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Berlin, pavarësisht një urdhri arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP).
Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin, Merz konfirmoi se Netanyahu e ka telefonuar të dielën për ta uruar për fitoren e tij në zgjedhje dhe se kanë diskutuar gjithashtu takimin e tyre të mundshëm pas formimit të një qeverie të re gjermane.
“Ju e dini që ne e njohim mirë njëri-tjetrin dhe unë gjithashtu i thashë se duhet të shihemi së shpejti pasi të formohet qeveria dhe në rast se ai planifikon të vizitojë Gjermaninë”, u tha Merz gazetarëve.
“Unë i premtova gjithashtu se do të gjejmë mënyra dhe mjete që ai të mund të vizitojë Gjermaninë dhe të largohet përsëri pa u arrestuar. Mendoj se është një ide krejtësisht absurde që një kryeministër izraelit të mos mund të vizitojë Republikën Federale të Gjermanisë. Ai do të mund të vizitojë Gjermaninë”, shtoi ai.