Kancelari i ardhshëm gjerman Friedrich Merz do të ftojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për një vizitë zyrtare në Gjermani.
Zyra e Netanyahut, përmes një deklarate, e quajti ftesën “kundërshtim të hapur të vendimit skandaloz të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për etiketimin e kryeministrit si kriminel lufte“.
GJNP lëshoi urdhërarreste nëntorin e kaluar për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, ku më shumë se 48.300 palestinezë u vranë në sulmet brutale izraelite që nga tetori 2023.
Sulmet u ndalën në bazë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që u arrit muajin e kaluar.
Sipas deklaratës, kryeministri izraelit ka uruar Merzin për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën dje në Gjermani.
Unioni Demokristian (CDU/CSU) i Merzit fitoi 28.6 për qind të votave, sipas rezultateve zyrtare preliminare. Partia Social Demokrate (SPD) e kancelarit Olaf Scholz u përball me një humbje historike në zgjedhje, duke marrë 16.3 për qind të vota, që është përqindja më e ulët e votave për partinë e qendrës së majtë që nga viti 1949.