Shiu i madh që goditi bregdetin e Paqësorit të Kanadasë sot detyroi evakuimin e pothuajse një qyteti të tërë, ndërsa shoferët u bllokuan pasi rrëshqitjet e dheut, gurët dhe mbeturinat kishin zënë të gjitha autostradat kryesore, përcjell UBT News.
Rreth 275 persona, sipas mediave lokale, mbetën të bllokuar gjatë natës në makinat e tyre në autostradën 7 pranë qytetit të Agassiz.
Ndërsa qyteti Merritt urdhëroi evakuimin e të gjithë 7,000 banorëve të qytetit pasi përmbytjet komprometuan impiantin lokal të trajtimit të ujërave të zeza dhe dëmtuan dy ura. Barrikadat gjithashtu u ngritën për të kufizuar hyrjen në qytet.
Ministri i sigurisë publike, Mike Farnworth, tha se ekipet e kërkimit dhe shpëtimit u dërguan për të çliruar njerëzit e bllokuar për orë të tëra pa ushqim dhe ujë në 80 deri në 100 makina, transmeton UBT News.
“Ne po shikojmë mundësinë e shpëtimit nga ajri, nëse është e nevojshme”, tha ai në një konferencë shtypi, duke shtuar se “erërat e forta mund të sfidojnë këto përpjekje”.
Environment Canada tha se deri në 250 milimetra shi – atë që rajoni merr normalisht në një muaj – pritej në fund të ditës në Vankuver dhe rreth tij, i cili u godit gjithashtu javën e kaluar nga një tornado e rrallë./UBTNews/