Gjithsej 726 sulme seksuale janë raportuar në ushtrinë kanadeze që nga viti 2016, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rrjeti Global News ka mësuar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Kanadasë se midis 1 prillit 2016 dhe 13 korrikut 2021, përmes zinxhirit ushtarak të komandës janë raportuar gjithsej 726 sulme seksuale.
“Numrat e raportuar duhet të jenë më të lartë në dy vitet e fundit. Megjithatë, kjo gjendje është në proporcion me atë se sa njerëzit ndihen të rehatshëm për t’i raportuar rastet”, tha Jessica Lamirande, zëdhënëse e Departamentit të Mbrojtjes Kombëtare.
Rritje e rasteve të ngacmimeve seksuale në ushtri
Sipas të dhënave të Ministrisë kanadeze të Mbrojtjes Kombëtare, 74 incidente të sulmeve seksuale janë raportuar në periudhën 2016-2017, 128 në periudhën 2017-2018, 125 më 2018-2019, 183 më 2019-2020 dhe 216 në periudhën 2020-2021.
Rastet e ngacmimeve seksuale në ushtri në Kanada thuhet se janë rritur me 170 për qind në gjashtë muajt e fundit.
Rastet e ngacmimit dhe abuzimit seksual, të cilat ishin 2.729 në total deri në fund të dhjetorit 2020, u rritën me afërsisht 170 për qind, sipas të dhënave të fundit, dhe u ngritën në 7.346 deri më 13 korrik 2021.
Komanda e ushtrisë kanadeze po ndeshet me atë që ekspertët e quajnë një “krizë institucionale”, pasi akuza të shumta për sjellje të keqe seksuale janë ngritur në muajt e fundit.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dha dorëheqjen disa muaj më parë
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerali Jonathan Vance, i cili pretendohej në muajt e fundit se kishte marrëdhënie të papërshtatshme me vartësit e tij, dha dorëheqjen duke hedhur poshtë akuzat.
Admirali Art McDonald, i cili zëvendësoi Vance-n, gjithashtu dha dorëheqjen për shkak të hetimit të policisë ushtarake të nisur për akuza të ngjashme.