Një lajm i veçantë ka tërhequr vëmendjen e fansave të muzikës: qeveria kanadeze po shqyrton mundësinë që Kanada të marrë pjesë në Eurovision Song Contest, konkursin ndërkombëtar ku këngëtarë nga e gjithë bota konkurrojnë me këngë origjinale nën flamurin e vendit të tyre.
Burime qeveritare kanë treguar se Kryeministri Mark Carney është personalisht i përfshirë në këtë iniciativë, shkruan CBC.
Eurovisioni promovon talentin evropian, organizohet nga European Broadcasting Union, por çdo transmetues publik që është anëtar i EBU-së mund të marrë pjesë, përfshirë jashtë Evropës. Kanadaja është anëtare afiliate, Australia, tjetër anëtare afiliate, merr pjesë që nga 2015.
Kur CBC News e pyeti Eurovisionin muajin e kaluar për mundësinë e pjesëmarrjes së Kanadasë, përgjigjja ishte se konkursi është i kufizuar për anëtarët e EBU-së. Megjithatë, pjesëmarrja kanadeze nuk duket e lehtë.
Më 2022, kompania prodhuese nga Toronto, Insight Productions, e njohur për spinoff-et kanadeze të The Amazing Race dhe Big Brother tentoi të krijonte një Eurovision Canada, ku artistët kanadezë do të konkurronin dhe fituesi do të dërgohej në Eurovisionin ndërkombëtar.
Organizatorët planifikonin të nisnin këtë konkurs më 2023, duke përfshirë artistë nga të gjitha 13 provincat dhe territoret e Kanadasë, por projekti nuk u realizua. Sipas Lindsay Cox, shefe e përmbajtjes në Insight, dërgimi i artistëve kanadezë në Eurovision ishte më kompleks se sa pritej, CBC/Radio-Canada nuk ishte e gatshme të përfshihej për shkak të kostove të larta.
Kanadaja nuk është e detyruar të organizojë konkurs televiziv të shtrenjtë për të zgjedhur artistin e saj, rregullat e Eurovisionit lejojnë që vendet të zgjedhin mënyrën e selektimit. Dean Vuletic, historian dhe ekspert i Eurovisionit, thekson se pjesëmarrja kërkon shpenzime të konsiderueshme: përveç tarifës së pjesëmarrjes, duhet të llogariten edhe kostot e udhëtimit e të qëndrimit për artistët dhe ekipin.
Kanadezët kanë marrë pjesë më parë në Eurovision nën flamuj tjerë: Céline Dion fitoi konkursin për Zvicrën në 1988, Natasha St-Pier përfaqësoi Francën në 2001, dhe La Zarra nga Montreal u paraqit për Francën në 2023. Megjithatë, konkurrimi mbetet i panjohur në Kanada, çka mund të jetë një pengesë për pjesëmarrjen, thotë Karen Fricker, profesoreshë në Brock University dhe eksperte e Eurovisionit.
“Njohësit e kulturës dhe komunitetet queer e njohin, por nuk dihet nëse kjo është mjaft e njohur për të krijuar momentum,” shton Fricker.
Eurovisioni ka tentuar të globalizohet vitet e fundit, por mbetet një ngjarje evropiane, thekson Vuletic. Ai shton se organizatorët janë të kujdesshëm për të mos lejuar shumë vende jashtë Evropës, për të ruajtur identitetin kulturor të konkursit.
Megjithatë, Ministri i Financave i Kanadasë, François-Philippe Champagne, tha se ideja për pjesëmarrjen ka ardhur nga vetë pjesëmarrësit, duke sugjeruar se Evropa nuk ka pengesa të mëdha për pranimin e Kanadasë.
Edhe pse ka pengesa dhe debate mbi pjesëmarrjen e disa vendeve – përfshirë Izraelin për shkak të situatës në Gaza – mbështetja e qeverisë federale e bën këtë diskutim më konkret se kurrë më parë për Kanada-n, përfundon Fricker.
“Është ende spekulative, por më konkrete se sa ka qenë më parë,” tha ajo. /A.Z/UBT News/
