Dita e hënë gjeti kampusin inovativ të UBT-së duke hapur dyert për ceremoninë solemne të hapjes së vitit të ri akademik 2024-2025. Ky event përshëndeti dekanë, profesorë, staf akademik, prindër dhe studentë aktualë, si dhe një grup të ri studentësh që kanë zgjedhur UBT-në si vendin për të zhvilluar aftësitë e tyre profesionale dhe intelektuale.
Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, u shpreh me entuziazëm për prurjen e studentëve të rinj dhe theksoi rëndësinë e edukimit, inovacionit dhe përkushtimit ndaj zhvillimit të Kosovës. Ai përshkroi sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni dhe nënvizoi rritjen e numrit të studentëve si një tregues i besimit në cilësinë e arsimit të UBT-së.
Në fjalën e tij, rektori Hajrizi theksoi investimet e shumta në infrastrukturën moderne dhe laboratorët e avancuar, duke siguruar se programet studimore janë të përshtatura me kërkesat e tregut të punës. Ai njoftoi se mbi 98% e studentëve tanë gjejnë punë menjëherë pas përfundimit të studimeve, falë lidhjeve të forta me industrinë dhe partneriteteve ndërkombëtare.
“Me shumë krenari mund të them se UBT është një nga institucionet më të përparuara në Kosovë, jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në ndikimin që kemi pasur në zhvillimin ekonomik të vendit. Kemi qenë dhe jemi kontribuues të rëndësishëm në krijimin e vendeve të reja të punës, në përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e tregut të punës dhe në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme për të gjithë shoqërinë tonë,” u shpreh rektori Hajrizi.
Rektori përfundoi fjalimin me një mesazh motivues për studentët, duke i inkurajuar ata të shfrytëzojnë çdo mundësi që u ofrohet. “E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja, dhe jam i bindur që me njohuritë, përkushtimin dhe energjinë që do të fitoni këtu, ju do të bëni ndryshimin që vendi ynë ka nevojë. Ju uroj një vit akademik të suksesshëm dhe plot arritje. UBT do të jetë gjithmonë pranë jush në çdo hap të këtij udhëtimi. Faleminderit dhe suksese të mëdha për të gjithë ju,” përfundoi Hajrizi.
Erjon Hadërgjonaj, student në Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, dha një pasqyrë të gjallë të jetës studentore në UBT, duke na frymëzuar dhe treguar çfarë do të thotë të jesh pjesë e këtij institucioni të jashtëzakonshëm.
Nën dirigjimin në piano të profesorit Artan Hasani, momenti u pasurua edhe më shumë nga performancat e tre yjeve të rinj të UBT-së, të cilat dhuruan tri pika magjike muzikore. Meriton Heta këndoi këngën “Don’t Stop Me Now”, Nina Kucani këndoi “Ika Larg”, dhe Alba Krasniqi interpretoi “Ti Voglio Bene”, duke sjellë pasion dhe melodi të paharrueshme në këtë ceremoni të veçantë./UBTNews/