Federata e Shahut të Kosovës ka mbajtur kampionatin individual për grupmosha të reja, garë kjo e cila vuri në pah talentin e madh të shumë të rinjve që kanë për këtë sport.
Edhe pse të gjithë nën moshën 18 vjeçare, gara e zhvilluar ishte mjaftë cilësore dhe me duele që sollën adrenalinë të madhe.
Risia më e madhe e këtij kampionati ishte se për herë të parë u mësua edhe kampion i m i ri i këtij sporti në nivel vendor, që ishte Mal Berisha me vetëm pesë vjet e gjysmë, raporton KosovaPress.
Në mbylljen e kampionatit, Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Kushtrim Mushica, tha se sporti i shahut së shpejti do të bëhet me sallën e vetë ku do të zhvillohen të gjitha kampionatet dhe aktivitetet tjera në vazhdim.
“Ne si Drejtori e Sporti çdoherë mundohemi që të bëjmë përkrahjen e duhur për sportin e shahut. Po shpresoj që kampionati i ardhshëm apo kampionatet e ardhshme që do të ndodhin në këtë sport ndodhin në ambiente ku është shtëpia e vet këtij sporti në mënyrë që t’i keni kushtet e juaja dhe adresën tuaj dhe kjo rini që po shoh sot të nxjerrë shahistë botëror dhe ta përfaqësojnë vendin tonë në mënyrën më të mirë”, theksoi Mushica.
Kurse, Kryetari i Federatës së Shahut, Armend Budima, konfirmoi se kampionët e dal nga ky kampionat individual do të jenë ata që do ta përfaqësojnë Kosovën në kampionatet evropiane e botërore që do të mbahen gjatë këtij viti.
“Ajo që është shumë me rëndësi është se në këtë kampionat e kemi një risi që e kemi kampionin më të ri ndonjëherë që e ka pasur Kosova. Ai është Mal Berisha i cili me pesë vite e gjysmë shpallet kampion për grupmoshat e reja. Gjithashtu përveç Malit, edhe të gjithë fituesve iu urojë titullin e kampionit dhe të gjithë kampionët do ta përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane dhe botërore që do të mbahen gjatë këtij viti”, tha Budima.