Bizneset në Kosovë kanë nisur protestën e paralajmëruar kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili parasheh daljen e detyrueshme të ndërmarrjeve në tregun e lirë të energjisë.
Në pamjet shihen kamionë, qytetarë e policë të shumtë në hyrjen e Prishtinës nga Veterniku.
Protesta ka nisur në orën 10:00, ku përfaqësues të bizneseve kanë vendosur kamionët e tyre në hyrjet kryesore të kryeqytetit.
Në një njoftim nga bizneset, të mërkurën u tha se rrugët do të bllokohen nga automjetet e kompanive që do të preken nga vendimi për dalje në treg të lirë.
“ZRrE-ja e qeveria pranuan që çmimi i energjisë elektrike të rritet për 16.1%. Kjo më së shumëti pritet t’i godas bizneset. Atyre po u thuhet të dalin në ‘treg të lirë’, ku shpenzimet për ta pritet të jenë marramendëse. Pasoja që do t’a ndiejë qytetari, përveç faturës së rrymës, pritet të jetë shtrenjtimi i produkteve. Për këtë bizneset kanë vendosur të protestojnë. Dhe atë, hiç më pak se me mbyllje të rrugëve kryesore të Prishtinës. Rrugët do të bllokohen nga automjetet e kompanive që do të preken nga vendimi për dalje në treg të lire”, thuhet ndër të tjera në njoftim./EO/