UBT News

​Kamberi për Sanduloviqin: Policia serbe po eliminon kundërshtarët politik të Vuçiqit

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dënuar dhunën brutale ndaj politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, i cili raportohet se ka mbetur i palëvizshëm pasi u rrah rëndë nga shërbimi sekret serb BIA.

Kamberi në një postim në Facebook ka thënë se Serbia po shndërrohet në shtet policor dhe policia serbe po merr përsipër të eliminojë kundërshtarët politikë të regjimit të Aleksandar Vuçiq.

“Serbia që moti nuk është demokraci, ajo, tani, po kalon edhe kufijtë e autokracisë, ajo po shndërrohet në shtet policor, sepse policia po merr përsipër të eliminojë kundërshtarët politik të regjimit dhe të idesë së “Botës serbe”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka theksuar se ky është edhe një rast tjetër që dëshmon se të pranosh realitetin e ekzistimit të shtetit të Kosovës dhe fajin për gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, do të sulmohesh në mënyrën më brutale nga vetë institucionet e shtetit.

“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të vetmen mënyrë komunikimi me kundërshtarët politik e ka agresivitetin. Ndërsa, ideologjia mbizotëruese e regjimit në Serbi akoma mbetet albanofobia, është për tu habitur fakti që opozita, ajo që e quan veten “proevropiane” nuk ka asnjë reagim lidhur me rrahjen brutale të një opozitari. Regjimi dhe opozita në Serbi e kanë një gjë të përbashkët: Albanofobia është e karakteristikë e dyve”, shkruan Kamberi.

Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Nikola Sanduloviq, është kthyer në shtëpi në gjendje të rëndë shëndetësore. E bija e tij, Klara, ka treguar se babai i saj ka shenja të panumërta trupit dhe lëndime si pasojë e goditjeve.

Sipas asaj që ka thënë Klara, Sanduloviq ka mbetur i paralizuar, derisa ajo shton edhe dyshimet për helmimin e tij, ndërsa tregon edhe fragmente nga moment i arrestimit nga BIA.

“Dje gruaja e tij e ka gjetur derën e shtëpisë të shkyçur dhe babai nuk ishte askund. Ajo menjëherë ka shkuar në polici, për ta raportuar zhduken e tij dhe aty asaj i është thënë ‘mos u brengosni, ai është i sigurt dhe do të kthehet’. Kjo ishte shenja se diçka nuk ishte në rregull”, ka thënë Klara.

“Mëngjesin e sotëm ajo ka pritur deri në orën 09:00 te spitali, pasi e kishte kuptuar se ishte aty, pa i dhënë askush informacion, por vetëm që ishte nën kujdesin e shërbimit ushtarak dhe se informacione mund të jepte vetëm një ‘doktor i besueshëm’”.

“Ai dyshohet se ka mbetur i palëvizshëm, gjithçka duket se ai është helmuar me agjent nervor”, ka shtuar ajo.

Sanduloviq është sulmuar pas publikimit të pamjeve duke bërë homazhe në Prekaz ku dhe ka kërkuar falje për krimet e Serbisë në Kosovë.

Exit mobile version