UBT News

Kamberi nga Shqipëria: Linja e veçantë buxhetore për Luginën e Preshevës paraqet domosdoshmëri për mirëqenien e qytetarëve

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në Shqipëri me liderët më të lartë të shtetit, për të diskutuar dhe adresuar çështjet e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës. Vizita e Kamberit kishte për qëllim forcimin e lidhjeve me Shqipërinë dhe sigurimin e mbështetjes për të drejtat dhe mirëqenien e shqiptarëve në këto treva.

Në një deklaratë të tij, Kamberi theksoi rëndësinë e një linje të veçantë buxhetore për Luginën e Preshevës, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri për përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunave të Luginës. “Koordinimi dhe bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë ofron garanci në avancimin dhe realizimin e të drejtave tona kolektive”, tha Kamberi.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, e priti Kamberin në një takim të veçantë ku diskutuan për sfidat dhe problemet që përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës. Presidenti Begaj e siguroi Kamberin për mbështetjen e plotë të institucioneve shqiptare ndaj çështjes së shqiptarëve të Luginës. “Diskutuam për shqetësimet me të cilat përballen shqiptarët në këtë trevë dhe Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht çështjen e tyre në arenën ndërkombëtare”, theksoi ai.

Në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme për shqiptarët në Luginë. Spiropali shprehu se respektimi i të drejtave të shqiptarëve të Luginës është një detyrim për Serbinë dhe theksoi se Kuvendi do të jetë gjithmonë në krah të përpjekjeve për integrimin dhe zhvillimin e Luginës. Ajo shtoi se përfshirja e komunitetit shqiptar në proceset zhvillimore dhe integruese të rajonit është e domosdoshme dhe se duhet të krijohen mekanizma institucionalë dhe buxhetorë për të mbështetur projektet zhvillimore në Luginë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë takimit me Kamberin, rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Jemi të përkushtuar për të mbështetur shqiptarët në Serbi në mbrojtjen e të drejtave të tyre”, u shpreh Hasani, duke theksuar se Shqipëria është e vendosur të punojë për përmirësimin e jetës së tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.

Exit mobile version