UBT News

​Kamberi ka përshëndetur ndarjen e fondit për Luginën nga buxheti i Kosovës

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka përshëndetur ndarjen e 4 milion euro për Luginën nga Qeveria e Kosovës.

Kamberi tha se kjo ndarje buxhetore përkthehet në mbështetje konkrete dhe të prekshme për shqiptarët e Luginës.

Parlamenti i Republikës së Kosovës ka marrë një vendim me peshë jetike për Luginën e Preshevës, një fond prej 4 milionë euro për vitin 2025, që përkthehet në mbështetje konkrete dhe të prekshme për shqiptarët e Luginës. Pas aprovimit në Qeveri e tashmë miratimi në lexim të dytë të Parlamentit për këtë fond nuk është thjesht një numër në letër. Është një mesazh i qartë dhe i fortë nga Kosova se shqiptarët e Luginës nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë vetëm”, ka shkruar Kamberi.

Kamberi tha se këto mjete do të shkojnë aty ku preken përditë zemrat e njerëzve.

Në arsim, për t’i dhënë fëmijëve tanë një dritare më të gjerë drejt së ardhmes; në kulturë, për të ruajtur dhe promovuar vlerat tona kombëtare; në sport, për të rritur shpresën dhe energjinë pozitive të rinisë; dhe në sektorë kyç që përmirësojnë jetesën e përditshme. Ky është një hap që shkon përtej politikës, përtej fjalëve, drejt veprës së mirëfilltë në shërbim të shqiptarëve dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në këto troje”, tha ai.

Kamberi tha se Lugina është krenaria e përbashkët edhe më e fuqishme me Kosovën në këtë situatë të rëndë që sipas tij po u imponohet nga diskriminimi shtetërorë.

Të enjten, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndarjet buxhetore për 2025, i cili kap shifrën 3.6 miliardë euro.

Pro buxhetit në lexim të dytë votuan 61 deputetë nga mazhoranca, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme në sallë.

Exit mobile version