UBT News

Kamberi: 5 marsi s’është vetëm i Prekazit, por trashëgimi botërore e luftës kundër fashizmit

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se data 5 mars nuk është vetëm e Prekazit dhe Kosovës, por e trashëgimisë botërore të luftës kundër fashizmit.

Me rastin e 23-vjetorit të Epopesë së lavdishme të UÇK-së dhe komandantit të saj legjendar, Adem Jashari, Kamberi ka thënë se 5 marsi është ngjarje kundër shtypjes, rezistencës kundër shfarosjes dhe insistimit të njeriut të zakonshëm për të qenë i lirë e barabartë.

“5 marsi nuk është vetëm i Prekazit dhe i Kosovës. është i trashëgimisë botërore të luftës kundër fashizmit Secila datë historike, botërisht, është rastësi. Nuk ka asnjë veçanti për 5 marsin para vitit 1998. Dhe nuk ka asnjë gjë që mund ta shlyej rëndësinë e 5 marsit pas vitit 1998. Kështu pra, një veprim i një familje të zakonshme në Prekaz, bëhet ngjarje që bartë në vete dimension universal. Sepse lufta e Jasharajve ishte e tillë – luftë për liri e njerëzve të zakonshëm kundër tiranisë fashiste të super-armatosur dhe të uniformuar. Kjo makineri vrasëse nuk kurseu asgjë. Të gjithë anëtarët e familjes u vranë, pa kursyer as fëmijët e as të moshuarit. Pra makineria nuk bënte luftë, por gjenocid. Sepse nuk donte fitoren, por zhbërjen. Në anën tjetër Adem Jashari qëndroi në shtëpinë e tij, me familjarët e tij. Ishte i armatosur lehtë. Por kishte një armë shumë më të fortë: vendosmërinë për liri. Kjo ngadhënjeu kundër makinerisë së trajnuar vrastare. Prandaj 5 marsi nuk mund të shlyhet. Sepse nuk është më i Prekazit. As i Kosovës. Është i trashëgimisë botërore të luftës kundër fashizmit. Është ngjarje e vegjëlisë kundër shtypjes, e rezistencës kundër shfarosjes, e insistimit të njeriut të zakonshëm për të qenë i lirë e barabartë, që e kundërshton shtypjen. I njeriut që e vlerëson e lirinë dhe barazinë më shumë se jetën. Adem Jashari luftoi si shqiptar i Kosovës. Por nuk luftoi vetëm për shqiptarët. Luftoi për të gjithë të shtypurit kundër çdo forme të fashizmit”, shkroi Kamberi në Facebook.

Exit mobile version