Zëvendës presidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Kamala Harris viziton sot Poloninë për të diskutuar me zyrtarët e këtij shteti pushtimin rus në Ukrainë dhe ndikimin që ka lufta në këtë rajon.
Gjatë udhëtimit të saj nga 9 deri më 11 mars, Harris do të vizitojë edhe Rumaninë – shtet anëtar të NATO-s.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se agjenda e zonjës Harris në Varshavë dhe Bukuresht pritet të fokusohet në ndihmën ekonomike, humanitare dhe asaj të sigurisë për Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara kanë rritur më shumë se dyfish prezencën ushtarake në Poloni – 9,000 trupa në total – javëve të fundit.
Një ditë më parë Polonia njoftoi se është gati për të transferuar menjëherë të gjithë avionët e saj MiG-29 qeverisë amerikane pa asnjë pagesë.
Transferimi do të bëhet me qëllim që avionët të shkojnë në ndihmë të forcës ajrore të Ukrainës që po lufton me pushtimin rus.
Qeveria e Polonisë i ka kërkuar vendeve të tjera të NATO-s që kanë avionë MiG-29 që të bëjnë të njëjtën gjë.
Lëvizja vjen pas disa javë negociata në Londër mes kryeministrit polak dhe Boris Johnson.
Me këtë marrëveshje, Ukraina do të marrë 28 avionë të modelit MiG-29, të prodhuar në Rusi, kurse Polonia do të përfitojë nga SHBA avionë të rinj F-16.