Në një tubim të mbushur me entuziazëm në Atlanta, zëvendëspresidentja Kamala Harris ka sfiduar Donald Trumpin për një debat kokë më kokë, duke shprehur besim në fitoren e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të 2024. Harris ka theksuar se 98 ditët e ardhshme do të jenë një “luftë”, por është e bindur në fitore, duke nënvizuar se momentum i garës është në favor të demokratëve.
Harris e ka ngacmuar Trumpin, i cili javën e kaluar shprehu dyshime mbi pjesëmarrjen e tij në një debat të ardhshëm. Trump ka sugjeruar se debati i planifikuar për 10 Shtator në ABC News duhet të zhvendoset në një kanal tjetër, duke e kritikuar ABC-në si “fake news”. Në një intervistë të fundit për “Fox News Channel”, Trump tha se dëshiron të debatojë, por gjithashtu sugjeroi se mund të kërkojë që debati të mbahet para nisjes së votimit nëpër shtete.
Pas tërheqjes së Joe Bidenit nga garimi dhe ngjitjes së Harris në pozitat kryesore të fushatës, demokratët janë përqendruar në ruajtjen e mbështetjes në shtetet kyçe si Georgia. Tubimi i Harris në këtë shtet kishte për qëllim të sinjalizonte Trumpin dhe të forconte mbështetje për fushatën e saj.
Trump ka pranuar mundësinë e debatit, por ka theksuar se ai mund të vendosë të mos marrë pjesë. Ai ka evituar debate të mëparshme dhe ka vënë në dyshim pjesëmarrjen në to, duke i konsideruar të hershme ose të pa nevojshme./UBTNews/