UBT News

​“Kam shumë për të thënë”: Rubin konfirmon se do të jap dëshmi në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

“Kam shumë për të thënë javën e ardhshme”, tha James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë ndihmës sekretar amerikan i Shtetit, derisa konfirmoi se do të jetë dëshmitar i mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Rubin do të dëshmojë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Do të jem në Evropë sepse javën e ardhshme do të dëshmoj në Tribunalin special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi Madeleine Albrightit në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte, do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, tha Rubin për emisionin “Christiane Amanpour Presents: The Ex Files with James Rubin”.

Madeleine Albright, tashmë e ndjerë, ishte kryediplomate amerikane.

Gjykata Speciale, e cila i heton krimet e pretenduara të luftës, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015.

Atje, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta.

Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill 2023.

Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj në prill të këtij viti ndërkohë, më 15 shtator do të nis paraqitja e provave nga ekipet mbrojtëse./D.B/KP

Exit mobile version