Ndonëse ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes së dinarit, ku sipas Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, valuta e vetme për të kryer shërbime për shit-blerje është euro, kjo ende nuk po zbatohet nga disa biznese në komunën e Graçanicës.
Në këtë komunë shkëmbimet tregtare në disa biznese vazhdojnë të bëhen me dinarë, megjithatë disa të tjera nga sot e kanë ndalur së përdoruri këtë valutë pas përfundimit të periudhës transitore të Rregullores së BQK-së.
Qytetarja Vaska Kostiq thotë se vazhdon të blejë me dinar në dyçane edhe pas vendimit të BQK-së.
“Për ne si me euro si me dinar, më mirë me dinar se në markete me dinar. (Sot) me dinarë kam blerë”, tha ajo.
Ndërkaq disa biznese tjera në këtë komunë janë duke e respektuar vendimin e BQK-së, në këtë mënyrë shitblerjet e mallrave po bëhen vetëm me euro.
“Nuk guxoj, vetëm euro, nuk guxoj të marrë dinar. E keni kembimoren atje”, thotë një tregtar prapa kamerës.
Kjo rregullore ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, por BQK kishte vendos një fazë tranzitore, që mundësonte lehtësim për zbatimin e këtij vendimi.
Në kuadër të kësaj periudhe, nuk janë shqiptuar masa ndëshkuese, por janë ofruar informacione për qytetarët rreth zbatimit të rregullores për pagesa me para të gatshme. Ndërsa, bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.
Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar të hënën për efektet nga Plani për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të hënën se më 15 maj Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e radhës për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Ky do të jetë takimi i shtatë me radhë në nivel të kryenegociatorëve kushtuar kësaj teme, teksa në gjashtë takimet e mëhershme kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, nuk kanë arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.