Përfaqësuesja e Lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nga 7 deri më 9 prill do të vizitojë disa shtete në Ballkanin Perëndimor.
Në vizitën e parë të saj në rajon si shefe e diplomacisë evropiane, Kallas do të qëndrojë në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.
Në Mal të Zi, Kallas do të takohet me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq. Ajo do të zhvillojë takime me organizata të shoqërisë civile dhe do të marrë pjesë në një inspektim të pajisjeve të financuara nga Fondi Evropian i Paqes.
Ajo do të zhvillojë takime gjithashtu me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Kallas do të hapë zyrtarisht Dialogun e parë të Sigurisë BE-Shqipëri, së bashku me ministrat Hasani dhe Vengu. Ajo do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve të grantit dhe kredisë me Bankën Evropiane të Investimeve, për zhvillimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë. Gjithashtu, do të mbajë fjalë para studentëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, Kallasi do të vizitojë trupat e misionit të BE-së, EUFOR, dhe do të takohet me anëtarët e Presidencës. Po ashtu, do të zhvillojë takime me kryeministren Borjana Kristo dhe ministrin e Jashtëm Elmedin Konakoviq.