Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, ka deklaruar se Ukraina nuk duhet të heqë dorë nga territoret e saj si pjesë e ndonjë marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
Duke folur me gazetarët në Luksemburg pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, Kallas theksoi se tregtia me territoret ukrainase është e papranueshme.
“Nëse thjesht i japim territoret, atëherë kjo u jep një mesazh të gjithëve se mund të përdorni forcë kundër fqinjëve tuaj dhe të merrni atë që dëshironi. Mendoj se kjo është shumë e rrezikshme. Kjo është arsyeja pse kemi ligjin ndërkombëtar në vend, [në mënyrë] që askush të mos e bëjë këtë.”, tha Kallas.
Gjatë një takimi të premten e kaluar, Steve Witkoff, i Dërguari Special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, sugjeroi që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të heqë dorë nga Donbasi si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi.
Vetë Trump tha në një intervistë me Fox News të dielën se Rusia do të mbante një pjesë të territorit që pushtoi gjatë luftës.
Sipas një burimi të Politico, udhëheqësit e BE-së shprehën mbështetjen e tyre për Zelensky pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, megjithatë, ishin të kujdesshëm në deklaratat e tyre lidhur me atë nëse Ukraina duhet ta mbajë të gjithë territorin e saj në një marrëveshje të mundshme paqeje./EO