Kripa e pasuruar me kalium rekomandohet për kontrollin e tensionit të gjakut, ka njoftuar National Hypertension Taskforce Australia, institucioni kryesor australian për menaxhimin e hipertensionit.
Kripa e pasuruar me kalium paraqet mënyrën më efikase për uljen e tensionit të gjakut, dhe për parandalimin e infarktit dhe goditjes në tru.
“Ky është rekomandim i fuqishëm i bazuar në prova, i cili e përafron Australinë me udhëzimet më të avancuara ndërkombëtare. Kalimi në përdorimin e kripës së pasuruar me kalium është një ndër mënyrat më praktike për të ulur tensionin dhe për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare,” deklaroi profesori Bruce Neal nga George Institute for Global Health.
Rekomandimet janë publikuar në Journal of Hypertension. Përfshirja e kripës së pasuruar me kalium në udhëzimet kombëtare të hipertensionit është hap i rëndësishëm, përmirëson kontrollin e tensionit të gjakut dhe ulë vdekshmërinë nga sëmundjet e zemrës.
National Hypertension Taskforce, i themeluar më 2022 për të adresuar nivelet e ulëta të kontrollit të hipertensionit, synon rritjen e normës së kontrollit nga 32% në 70% deri në vitin 2030. Hipertensioni prek një në tre të rritur australianë dhe konsiderohet shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme në vend.
Për çfarë shërben kripa e pasuruar me kalium?
Kripa e pasuruar me kalium, një përzierje e natrium-klorurit dhe kalium-klorurit përdoret si alternativë më e shëndetshme ndaj kripës së zakonshme. Ajo sjell disa përfitime të rëndësishme:
Ulet tensionin e gjakut
– Më pak natrium redukton mbajtjen e lëngjeve.
– Kaliumi ndihmon në balancimin e natriumit dhe relakson enët e gjakut.
Përmirëson balancën e elektroliteve
– Kaliumi është i domosdoshëm për funksionimin e zemrës, muskujve dhe sistemit nervor.
Ul rrezikun e goditjes në tru dhe sëmundjeve kardiovaskulare
– Përfitimi vjen nga reduktimi i natriumit dhe rritja e marrjes së kaliumit.
Teprica e natriumit e mungesa e kaliumit lidhen me tensionin. Vetëm konsumimi i tepërt i natriumit shkakton 1.9 milionë vdekje në vit globalisht. Në kripën e pasuruar me kalium, zakonisht rreth 25% e natrium-klorurit zëvendësohet me kalium-klorid.
Provat klinike tregojnë se kjo formulë ul presionin e gjakut dhe redukton rrezikun e ngjarjeve të rënda kardiovaskulare.
Megjithëse shumica e udhëzimeve botërore rekomandojnë uljen e natriumit dhe rritjen e kaliumit, vetëm pak prej tyre theksojnë në mënyrë të qartë përdorimin e kripës së pasuruar me kalium.
Udhëzimet e fundit të European Society of Hypertension, European Society of Cardiology dhe American College of Cardiology/AHA tashmë e përfshijnë këtë rekomandim. /A.Z/UBT News/
