Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Ajo ka nisur të mërkurën vizitën në Serbi dhe do të vazhdojë të enjten në Kosovë, për të përfunduar në Maqedoninë e Veriut. Kallas ka thënë se tani është momenti i duhur për t’u angazhuar sërish në këtë proces.
Në një postim në rrjetin social X, ajo ka shkruar se gjatë dy ditëve të ardhshme do të takohet me qeveritë dhe shoqëritë civile të këtyre vendeve për të mbështetur rrugën e tyre drejt BE-së, duke theksuar se dialogu Beograd-Prishtinë është i domosdoshëm për të ecur përpara.
Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) ka publikuar një komunikatë për vizitën e saj në këto tre vende, që është e para prej kur Kallas mori detyrën e shefes së diplomacisë së BE-së para gjysmë viti.
Megjithatë, në komunikatë nuk jepen detaje për takimet në Kosovë, ndryshe nga vizitat në Beograd dhe Shkup ku specifikohen takimet me presidentë, kryeministra dhe ministra. Për Kosovën, thuhet vetëm se Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.