Një studim i ri i publikuar në revistën JAMA dhe prezantuar në konferencën e American Heart Association ka zbuluar se konsumimi i kafesë me kafeinë është i sigurt për personat që vuajnë nga fibrilacioni atrial (A-fib).
Madje mund të ndihmojë në parandalimin e përsëritjes së këtij çrregullimi të zemrës.
Sipas autorit të studimit, kardiologut Gregory Marcus nga Universiteti i Kalifornisë, për vite me radhë pacientëve me A-fib u ishte rekomanduar të shmangnin kafen, por të dhënat e reja tregojnë të kundërtën.
Në studim morën pjesë 200 persona nga SHBA, Kanadaja dhe Australia, të ndarë në dy grupe: njëri ndaloi kafeinën, tjetri pinte të paktën një filxhan në ditë. Pas gjashtë muajsh, vetëm 47% e atyre që pinin kafe patën rikthim të çrregullimit, krahasuar me 64% të grupit pa kafe.
Ekspertët theksojnë se një filxhan në ditë është plotësisht i sigurt, ndërsa sasi më të mëdha apo pijet energjike mund të jenë të rrezikshme.
Shkencëtarët dyshojnë se përbërësit anti-inflamatorë të kafesë, dhe jo vetë kafeina, mund të ndihmojnë zemrën. Megjithatë, gjatë një episodi aktiv të A-fib, këshillohet të shmanget kafeja pasi mund të përshpejtojë rrahjet e zemrës.
“Ky studim tregon se mund të shijoni filxhanin e kafesë në mëngjes pa shqetësim, edhe nëse keni A-fib,” – ka theksuar kardiologia Johanna Contreras nga spitali Mount Sinai në New York. /A.Z/UBT News/
