Një filxhan kafe është thelbësore për mëngjesin e njerëzve. Për shumë prej tyre, janë të nevojshme disa filxhanë në ditë për të përballuar ditën.
Përveçse është mënyrë e mirë për t’u zgjuar, kërkimet kanë zbuluar se kjo pije mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për të zhvilluar diabetin e tipit 2.
Studiues nga universitete në Korenë e Jugut përdorën të dhëna 149 publikime shkencore për të shqyrtuar efektet e kafesë në proceset metabolike që lidhen me zhvillimin e diabetit tipi 2.
Ata që pinë nga 3-5 filxhanë përfitojnë nga përbërje natyrale të quajtura polifenole. Studiuesit u përqendruan te pesë acide hidroksikinamike që gjenden në kafe dhe analizuan si ndikojnë në zorrët e holla, pankreas, mëlçi dhe inde tjera trupore.
U zbulua se konsumimi i përditshëm i kafesë së zezë ndihmon në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak, të ulë inflamacionin, të përmirësojë ndjeshmërinë ndaj insulinës, të ofrojë veti antioksiduese dhe të përmirësojë përpunimin e glukozës në trup.
Rezultatet ishin si për kafenë me kafeinë, ashtu edhe për atë pa, duke sugjeruar se përfitimet përfshirë ulje prej 20% deri 30% të rrezikut për të zhvilluar diabetin e tipit 2 te ata që pijnë kafe rregullisht, vijnë nga përbërje të tjera përveç kafeinës. Gjetjet u botuan në International Journal of Molecular Sciences.
Studiuesit shkruan:
“Kafja dhe përbërjet e saj bioaktive, përfshirë acidin klorogjenik dhe derivatet e tij hidroksikinamike… kanë potencial të rëndësishëm në parandalimin dhe menaxhimin e diabetit të tipit 2.”
Zhaoping Li, profesoreshë e mjekësisë dhe drejtoreshë e Divizionit të Nutricionit Klinik në Universitetin e Kalifornisë, edhe pse nuk ishte pjesë e studimit, është shprehur se pajtohet me gjetjet e tij.
Përgatiti: A.Z. /UBT News/