UBT News

Kadrijaj në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Marsi muaj i lavdisë dhe kthesës historike

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha se datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 janë data të kthesës historike dhe lavdisë të shqiptarëve të Kosovës.

Në këtë përvjetor, deputetja e AAK-së ritheksoi se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballen me drejtësi ndërkombëtare, për çka uroi që ata të kthehen sa më shpejt në Kosovë.

“Datat 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, janë data të kthesës historike dhe lavdisë së shqiptarëve të Kosovës, dhe jo vetëm këto data shënojnë fillimin e fundit të një kapitulli shekullor në okupim. Epopeja e UCK-së kulmoi pas përpjekjeve shekullore të shqiptarëve të Kosovës për liri, brezat e tyre u angazhuan dhe kontribuuan në forma dhe mënyra të ndryshme për të ardhur deri tek liria… Lufta dhe sakrifica e Jasharajve mobilizoi shqiptarët gjithandej botës për tu bashkuar me luftën për liri. Tani nuk ishte vetëm Prekazi dhe Drenica por gjithë Kosova, por mijëra qytetarë po armatoseshin për t’iu bashkuar luftës së UÇK-së e cila bëri realitetin lirinë dhe pavarësinë tonë. Se lufta e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe UÇK ishte e drejtë e tregoi fakti se krah i kësaj lufte dhe aleat të tyre u bënë shtetet më të fuqishme”, tha Kadrijaj.

Deputetja e AAK-së në këtë seancë solemne u shpreh se falë luftës dhe sakrificës së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari Kosova është e lirë dhe e pavarur.

“Sot falë luftës dhe sakrificës të komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes Jashari dhe luftës e sakrificës së UÇK-së, Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran… Nëse ka diçka shumë të vlefshme që duhet të mburren dhe të krenohen fortë shqiptarët kudo që janë e veçmas shqiptarët e Kosovës, është UÇK-ja si kurorëzim i të gjitha sakrificave të patriotëve të tërë që e nxjerrën hakun për vuajtjet e të gjitha gjeneratave për liri e pavarësi”, tha Kadrijaj.

Exit mobile version