Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se kërkesat e qytetarëve për formim të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit janë të arsyeshme.
Të enjten dhjetëra qytetarë u mblodhën para hyrjes së Kuvendit, para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për herë të 27-të, duke kërkuar nga deputetët tejkalim të ngërçit.
Megjithatë, Kadrijaj tha se është skeptike se do të ketë lëvizje pozitive në seancën e sotme.
“Nuk kemi parë ndonjë lëvizje. Po presim me u përsërit skenari i njëjti dhe seanca mos të zgjasë më shumë se 30 minuta. Ky bllokim i seancës nuk është e drejtë që po ndodh nga Kurti dhe partia e tij… Kurti dhe ish kabineti qeveritar para dite po janë deputetë pas dite po shkojnë në zyre të tyre në qeveri”, tha ai.
Ajo komentoi edhe kërkesën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri se do të “prejnë një kurban” siç ka thënë “për ta kthyer mbarë opozitën”.
“Kërkesat e qytetarëve janë të arsyeshme. Ndërsa sa i përket zotëri Bahtiri është mirë që atë kurban ta prejë bashkë me Albin Kurti dhe ndoshta munden me siguru votat që me kalu dhe me marrë votat”, shtoi ajo./KP