Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e tij të parë lidhur me akuzat e reja të zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Kadri Veseli ka dalë edhe njëherë para gjykatësit të procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pasi më 29 prill Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Prokuroria po pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë kryer krime lufte në Gjilan dhe Suharekë.
“Deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Veseli.
Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se dëshiron që procesi gjyqësor të fillojë sa më parë.
“I kam lexuar dhe kam dëshirë që të procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejtë dhe të kem të drejtën time të shpreh edhe pozitën time dhe pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtij gjyqi të nderuar”, ka thënë Veseli.
Tutje, gjykatësi i procedurës paraprake i ka lexuar të drejtat e të akuzuarit.
“Zotëri gjyqtar ju falënderoj për të gjitha këto të drejta dhe kisha pas dëshirë që këto të drejta të cilat i përmende të kem të drejtë pikërisht në këtë gjykatë edhe t’i aplikojë”, ka thënë Veseli.
Paraprakisht sekretarja e gjykatës i ka lexuar akuzat e reja që i përmban aktakuza e ndryshuar e ZPS-së.
Ndërsa mbrojtja e Veselit, avokati Ben Emmerson ka deklaruar se çështjet e tyre do t’i shtrojnë në konferencën e ardhshme mbi ecurinë e çështjes.
Sot para gjykatësit të procedurës paraprake do të dalin ndaras edhe Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa edhe në paraqitjet e tyre të para Dhomave të Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ndërsa më 29 prill 2022 ZPS ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër këtyre katër të akuzuarve.