Një pensionist spanjoll paraqiti një peticion me mbi 600 000 firmëtarë si pjesë e një fushate kundër rritjes së përdorimit të shërbimeve digjitale nga bankat.
Carlos San Juan, 78 vjeç, e emëroi peticionin e tij me titullin ”Jam i moshuar, por jo idiot”.
Ai ia paraqiti peticionin Ministrisë spanjolle të Ekonomisë dhe Bankës Qendrore.
San Juan, një mjek në pension, po kërkon që bankat spanjolle të ofrojnë shërbime me personel për të moshuarit, në vend që t’i kanalizojnë ata në shërbimet online, pasi të moshuarit në përgjithësi janë më pak të kënaqur me ”banking online”.
Bankat spanjolle, si shumë të tjera në mbarë botën, po mbyllin degët dhe po reduktojnë kornizën kohore për shërbimet direkte, duke bërë që San Juan të bëjë thirrje për “masa urgjente”.
Sipas gazetës ”El País”, përdorimi në rritje i shërbimeve digjitale nuk po prek vetëm bankat.
Sipas sondazheve, rreth një e treta e spanjollëve ndihen të kufizuar në aspektin e aftësisë së tyre për të aksesuar shërbime, punë ose ndihmë shtetërore për shkak të shërbimeve digjitale.
Qeveria premtoi se do të lobojë te bankat për të vënë në dispozicion staf për të moshuarit duke thënë se u njoh me problemin dhe premtoi ta zgjidhë.