UBT News

Jusuf Gërvalla: Një letër, një fjalë, një lajm, një cikërrimë njerëzie, gjërat që më bëjnë të lumtur

Në fillim të viteve të ’70-ta revista “Zëri i rinisë” mbante rubrikën standarde “Në vertikale” të gazetarit Esad Dujaka. Në mesin e shumë figurave të kohës për këtë rubrikë është intervistuar edhe Jusuf Gërvalla.

(Asokohe Jusufi ishte në shërbim ushtarak në Manastir, prandaj edhe përgjigjet e tij në disa pyetje lidhen pikërisht me situatën në të cilën ndodhej. Për të interesuarit, intervistën e botuar në revistën “Zëri i rinisë”, nr. 8, 17.02.1973, nga arkivi im, po e sjelli të plotë. K.R)

NË  V E R T I K A L E : JUSUF GËRVALLA

LETËRNJOHTIMI


Dita dhe vendi i lindjes: 1 tetor 1945, Dubovik, Pejë.
Pesha e trupit dhe gjatësia: 80 kg. së bashku me radiostacionin, 475 cm. bashkë me antenën e radiostacionit!
Ngjyra e syve dhe e flokëve: E blertë, ngjyrë gështenjë.
Profesioni kryesor: Radiotelegrafist pranë këmbësorisë në Manastir.
Gjendja familjare: Një grua me dy fëmijë.
Adresa: Posta ushtarake 4519/18, MANASTIR

INTIME
Shkrimtari: Kadare, T. Dërvishi, S. Beket
Kompozitori: Bethoven, Bach, Hendl
Artisti figurativ: Gogen, Van Gog
Këngëtari: Ibrahim Tukiçi, Vaçe Zela, Arsen Dediqi
Kënga juaj: “Një lule që m’ka çelë mbramë”
Shkencëtari: Ajnshtajni
Aktori: Piter O’Tul, Mia Farou
Fytyra historike: Skënderbeu

CILËSITË
Prirjet: Muzikë, pikturë
Karakteri: ?
E meta: Gjërat i ndjej me gjithë shpirt.
Virtyti: Prirja për t’ua falur gabimet njerëzve.
Çka ju bën të lumtur: Një letër, një fjalë, një lajm, një cikërrimë njerëzie mjafton ta përmbushë me lumturi zemrën time.
Çka ju nevrikos: Shija dhe mendimi i huajtur për hir të modës.
Prej kujt turpëroheni: Prej gjeneratave që shkuan.

DELIKATE
Tipi i femrës suaj: Femra e prajshme, me prirje të mira.
A i besoni dashurisë në pamje të parë: Propozoj që kjo pyetje të fshihet nga rubrika (!)
A jeni xheloz: Mjaft
Faji juaj më i madh: Vështirë është të jesh edhe fajtor edhe gjykatës.
Vepra e juaj më e madhe: Pa vepra të mëdha e të mesme!

SHIJA
Ngjyra: secila ngjyrë bukurinë e vet.
Lulja më e dashur: i dua lulet.
Ambienti më i dashur: Vendlindja
Gjella: Këto ditë nuk po iu bëj naze.
Pijet: Druaj se më “bijnë” dhëmbët duke bërë propozime! Mahitëm!
Garderoba: Ajo në të cilën e ndjej vetën të lirë.

SHPREHITË
Koha e lirë: Pa ndonjë rregull të caktuar.
Hobi: Ta ndjell kohën e ardhshme që të vijë sa më shpejtë…
Pushimi: I paktë, si ushtaraku më!
A flini herët: Tingulli i burisë më gjen në shtrat.
A zgjoheni vonë: Të dielave në orën 7, tjerave ditë në 5.
Rob i cilave shprehi jeni: Duhanxhi i pasionuar.
Cilin emision televiziv e shikoni rregullisht: Flasim pasi të jem kthyer në shtëpi, apo pasi të jeni shkuar ju ushtar.

PËR FUND
Udhëtimet: Më tepër më pëlqen të rehatohem në “çerdhen time”; pa shaka, udhëtimet e mia s’i kanë kaluar kufijtë e Jugosllavisë.
Vetura juaj: “Ungju m’bythë se s’t’hanë qe’t”!
Honorari më i madh: Pesë vjet një “Fiqë”, po t’mos ishte honorari vëllai më i mirë i rrogës miniminimale.
Gjuhët e huaja: Serbisht, sllovenisht, maqedonisht, sa për të kërkuar bukë – edhe frëngjisht.
Ambicjet: Të njerëzishme dhe të durueshme.

P.S Një falënderim z. Kadri REXHA, i cili e ka ruajtur dhe me kujdes të veçantë e ka ribotuar këtë intervistë timen me Jusuf Gërvallen që kisha bërë në Manastir në vitin 1973.

Exit mobile version