Justin Bieber ka bërë një rikthim të fuqishëm në skenën e madhe si artisti kryesor në festivalin Coachella, në një performancë të mbushur me nostalgji.
32-vjeçari gjatë koncertit të së shtunës qëndroi pjesërisht ulur para një laptopi, duke kënduar mbi video të YouTube të hiteve të tij të vjetra si “Baby” dhe “Never Say Never”, duke krijuar një atmosferë që u pa si homazh për platformën ku ai u zbulua fillimisht.Ai gjithashtu shfaqi në ekran disa video të fëmijërisë së tij, të cilat dikur kishin tërhequr vëmendjen e industrisë së muzikës kur ishte vetëm 12 vjeç, si dhe dukej sikur ndërvepronte me komentet e transmetimit live të performancës së tij.
Ky ishte koncerti i tij më i madh live në katër vitet e fundit, pasi kishte anuluar turneun botëror “Justice” për shkak të problemeve shëndetësore.
Bieber e nisi performancën i vetëm në një skenë të zbrazët, duke interpretuar këngë nga albumet e tij të vitit 2025 “Swag” dhe “Swag II”, para se t’i thoshte publikut se dëshironte t’i “çonte në një udhëtim” përmes karrierës së tij.
Gjatë koncertit ai pyeste vazhdimisht audiencën: “Sa larg ktheheni në kohë?”
Ai gjithashtu riktheu një video që kishte bërë bujë kohët e fundit, ku shihej duke u përplasur me një fotograf dhe duke thënë: “Nuk po e kupton, unë jam duke e bërë punën time.”
I veshur me hoodie dhe shorce në një skenë minimaliste, Bieber u shoqërua edhe nga të ftuar muzikorë si The Kid Laroi, Wizkid, Tems dhe Dijon.
Në publik u pa edhe bashkëshortja e tij Hailey Bieber, si dhe çifti i njohur Timothée Chalamet dhe Kylie Jenner.
Bieber kishte anuluar turneun botëror pasi kishte zbuluar se vuante nga paraliza faciale, si pasojë e diagnozës me sindromën Ramsay Hunt, një komplikim i herpes zosterit në vitin 2022.
