Imazhi i Josephine Baker njihet si imazh i një artisteje të guximshme, e cila shpesh tronditi audiencën duke sfiduar të gjitha konventat e kohës. Por pas shfaqjeve të saj dramatike në skenë dhe stilit të jetesës magjepsëse – përfshirë një gatopard të përkëdhelur – ishte një grua komplekse që shumë nga fansat e saj nuk e panë kurrë.
Baker ishte një spiune e Rezistencës Franceze, aktiviste për të drejtat civile dhe nënë birësuese e disa fëmijëve.
“Ajo kurrë nuk mendoi se diçka ishte e pamundur”, vëren Bennetta Jules-Rosette. “Ajo mund të bënte gjëra që ne do t’i konsideronim përpara kohës së tyre, sepse ajo kurrë nuk e kishte menduar se do të dështonte”.
Josephine Baker lindi si Freda Josephine McDonald. Ajo filloi të punojë që në moshë të hershme, ndërsa në moshën trembëdhjetë, ajo kishte ikurnga shtëpia, punonte si kamariere dhe jetonte në rrugë. Në moshën katërmbëdhjetë vjeç, Baker u martua për herë të parë dhe u divorcua nga burri i saj i parë vitin e ardhshëm.
Ajo gjeti punë me një grup shfaqjesh në rrugë, grupin Jones Family Band dhe u martua përsëri në vitin 1921 në moshën 15-vjeçare. Edhe ajo martesë ishte jetëshkurtër, por në kohën kur përfundoi, ajo kishte krijuar një reputacion me mbiemrin Baker, kështu që ajo e mbajti atë për gjithë jetën.
Gjatë Harlem Renaissance, Baker shkoi në New York dhe filloi të ndërtonte karrierën e saj; brenda pak vitesh, ajo ishte “vajza e korit më të paguar”. Më pas, ajo pati një mundësi të bëjë turne në Paris, ku publiku ishte i emocionuar nga performancat e saj. Ajo u bashkua me Folies Bergère dhe u bë e famshme për “Danse sauvage”.
Por ajo donte të njihej më shumë se një akt “ekzotik” apo “primitiv”, ndaj mori drejtimin e vokalit dhe transformoi personazhet e saj, si në skenë ashtu edhe jashtë saj.
Suksesi i Baker në Paris, megjithatë, nuk u përkthye me sukses në shtëpi. Pas vlerësimeve të dobëta të shfaqjeve të saj në SHBA në fund të viteve 30-ta, ajo u kthye në Francë, duke u martuar me francezin hebre Jean Lion dhe duke u bërë shtetase franceze në vitin 1937.
Pasi Franca i shpalli luftë Gjermanisë në 1939 si përgjigje ndaj pushtimit të Polonisë, Baker u rekrutua nga Deuxième Bureau, agjencia e inteligjencës ushtarake franceze, si një “korrespondente”.
Përgjatë pjesës më të madhe të luftës, ajo mbajti një orar të ngjeshur performancash, gjë që i siguroi një mbulesë të shkëlqyer për aktivitetet e saj të fshehta si nëntogere.
Ajo ndihmoi në mbështetjen e lëvizjes së lirë të gjeneralit Charles de Gaulle duke mbledhur informacione për Rezistencën në ngjarjet e shoqërisë së lartë të mbajtura në ambasada. Fama i dha asaj mundësinë për të vizituar kombet neutrale gjatë luftës, pasi ajo punonte si spiune për Rezistencën Franceze, duke kontrabanduar informacione për instalimet gjermane dhe lëvizjet e trupave.
Për shërbimin e saj në Francë gjatë luftës, Baker u nderua me Croix de guerre dhe Medaljen e Rezistencës Franceze , dhe de Gaulle e emëroi atë një Kalorëse të Légion d’Honneur, dekorata më e lartë e vendit.
Pas luftës, Baker ishte e etur për t’u kthyer në karrierën e saj performuese, por ajo gjithashtu kishte një dëshirë të sapogjetur për të mbrojtur kauzat e të drejtave civile.
Në vitin 1963, ajo u bë e vetmja folëse zyrtare femër në marshin e famshëm në Uashington, duke i thënë turmës, “Ju e dini që unë kam marrë gjithmonë rrugën ‘shkëmbore’. Unë kurrë nuk kam marrë atë të lehtën, por teksa po rritem, dhe duke e ditur që kisha fuqinë dhe forcën, mora rrugën shkëmbore dhe u përpoqa ta lëmoj pak. Doja ta bëja më të lehtë për ju”.
Gjatë punës së saj me Lëvizjen për të Drejtat Civile, Baker formoi një familje adoptuese që ajo e quajti Rainbow Tribe; ajo shpresonte se dy vajzat dhe dhjetë djemtë e saj do të tregonin se “fëmijët e etnive dhe feve të ndryshme mund të jenë ende vëllezër”.
Pasi u vra Martin Luther King, Jr., Coretta Scott King madje i kërkoi Bakerit të merrte në konsideratë marrjen e vendit të King si udhëheqëse e Lëvizjes për të Drejtat Civile; megjithatë, Baker nuk pranoi, duke thënë se fëmijët e saj ishin “shumë të vegjël për të humbur nënën e tyre”.
Baker performoi deri në fund të jetës së saj në shumë nga vendet më të njohura në botë, përfshirë Carnegie Hall në Nju Jork, Palladiumin e Londrës dhe Gala du Cirque në Paris.
Më 8 prill 1975, ajo mbajti një shfaqje ‘retrospektive’ në Bobino në Paris, e cila u financua nga Princi Rainier dhe Princesha Grace e Monakos dhe Jacqueline Kennedy Onassis. Kishte aq shumë kërkesa për ndenjëse saqë u shtuan karrige të palosshme për të lejuar më shumë shitje biletash.
Katër ditë më vonë, ajo u gjet në shtratin e saj, e rrethuar nga recensionet e gazetave që lavdëronin emisionin e saj, në koma nga një hemorragji cerebrale; ajo vdiq po atë ditë.
Pas vdekjes së saj, vendi birësues i Baker e nderoi atë për shërbimin e saj gjatë luftës edhe një herë kur ajo u bë gruaja e parë e lindur në Amerikë që mori nderime të plota ushtarake franceze.
Dhe, në fund, vdekja e saj ka të ngjarë ta kishte kënaqur atë; “Unë do të kërcej gjithë jetën time” tha ajo një herë. “Do të doja të vdisja, pa frymë dhe e harxhuar, në fund të një kërcimi”./UBTNews/