Bashkimi Evropian ka dënuar sundimtarët ushtarakë të Sudanit për përdorimin e dhunës ndaj demonstruesve të cilët ishin kundër grusht shtetit, transmeton UBT News.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se thirrjet e përsëritura për autoritetet sudaneze që të përmbahen nga veprimet e dhunshme “kanë rënë në vesh të shurdhër”.
Deklarata erdhi një ditë pasi forcat sudaneze hapën zjarr ndaj protestuesve të cilët protestonin kundër grusht shtetit në kryeqytetin Khartoum, duke vrarë të paktën shtatë persona.
Më shumë se 70 njerëz kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë plagosur në protesta që kur ushtria mori kontrollin në tetor.
Ndërsa protestuesit kanë bërë thirrje që pushteti t’i dorëzohet një qeverie plotësisht civile, gjeneralët ushtarakë kanë thënë se do të presin zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Borrell tha se sulmiet e vazhdueshme, duke përfshirë ndalimin e aktivistëve dhe gazetarëve, e ka vënë Sudanin në “një rrugë të rrezikshme larg paqes dhe stabilitetit”.
Diplomati i BE-së i kërkoi ushtrisë së Sudanit të de-përshkallëzojë tensionet, duke thënë se “shmangia e humbjeve e jetëve të mëtejshme është thelbësore”.
Kriza e vazhdueshme po rrezikon të prishë përpjekjet e OKB-së për të gjetur një zgjidhje paqësore, shtoi ai./UBTNews/