UBT News

Jon Bon Jovi tregon kontratën e parë, vetëm 154 euro për të kënduar

Muzikanti amerikan Jon Bon Jovi ndau me ndjekësit në Instagram kontratën e tij të parë në karrierë.

Kontrata, e nënshkruar nga producenti Meco Monardo, ishte për një album Krishtlindjesh me titull punues “Christmas in the Stars”, i bazuar në personazhe nga filmat Star Wars dhe The Empire Strikes Back, dhe i prodhuar nga RSO Records Inc.

Sipas kontratës, Bon Jovi mori vetëm 180 dollarë (rreth 154 euro) dhe hoqi dorë nga çdo e drejtë autoriale mbi albumin.

Ai shkroi: “Kontrata e parë në vitin 1980, gjithmonë është kënaqësi ta gjesh. Pa dyshim që është postuar diku në internet.”

Albumi “Christmas in the Stars: Star Wars” u publikua më 1980 e shquhej për paraqitjen e aktorit Anthony Daniels. Megjithatë, albumi është i njohur edhe për regjistrimin e parë profesional të Bon Jovit, në “R2-D2 We Wish You a Merry Christmas”.

Gjatë një paraqitjeje në “Jimmy Kimmel Live” në prill 2024, Bon Jovi tregoi se si përfundoi në këtë album: “Punova në një studio nga vjeshta e vitit 1980 deri në 1983, kur regjistruam albumin tonë të parë. Një djalë me emrin Meco Monardo më pyeti: ‘A di të këndosh?’ Unë thashë: ‘Mendoj se mundem.’ Ai tha: ‘Eja atje dhe do të paguhesh 180 dollarë.’”

Megjithëse ky ishte regjistrimi i parë profesional, kënga që e bëri të famshëm Bon Jovin dhe grupin ishte “Runaway”, e cila u bë hiti i parë në Top 40 dhe shënoi fillimin e vërtetë të karrierës së tij.

Sot, më shumë se 40 vjet më vonë, Bon Jovi është një nga grupet më të suksesshme të rokut, me mbi 130 milionë albume të shitura dhe ende vazhdon të performojë. Albumi i tyre i 16-të u publikua në vitin 2024. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version