Tensionet mes Parisit dhe Londrës janë shtuar pasi 27 emigrantë vdiqën në brigjet e Calais në tragjedinë më të madhe të këtij lloji në Kanalin Anglez, përcjell UBT News.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, anuloi të premten vizitën e homologes së tij britanike, Priti Patel, në një takim për migracionin i cili ishte i planifikuar për të dielën.
Kjo pasi kryeministri Johnson i bëri thirrje Francës që të kthej mbrapsht të gjithë emigrantët që mbërrijnë në Britani në një letër dërguar presidentit francez Emmanuel Macron dje.
Letra propozonte gjithashtu patrullime të përbashkëta detare, ajrore dhe tokësore që fillonin javën e ardhshme – ide të cilës Franca i ka rezistuar.
“Jam i befasuar nga metodat kur ato nuk janë serioze”, tha Macron kur u pyet për letrën.
“Ne nuk komunikojmë nga një lider te tjetri për këto çështje me tweet-a dhe letra që bëjmë publike, ne nuk jemi sinjalizues”, këmbënguli presidenti francez në një konferencë për shtyp në Romë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me Italinë./UBTNews/