UBT News

Johnny Depp rikthehet në Hollywood me film të ri

Pas një periudhe të gjatë mungese, Johnny Depp po rikthehet në ekranin e madh me projektin e tij më të madh që prej largimit nga Hollywoodi pas gjyqeve të bujshme me ish-bashkëshorten Amber Heard.

Sipas The Hollywood Reporter, kompania Paramount Pictures, tani nën drejtimin e David Ellison, është në negociatat përfundimtare për realizimin e versionit të ri të klasikës së Charles Dickens, A Christmas Carol.

Filmi do të titullohet “Ebenezer: A Christmas Carol” dhe pritet të shfaqet në kinema më 13 nëntor 2026.

Regjinë do ta bëjë Ti West, i njohur për filmat horror X, Pearl dhe MaXXXine, ndërsa në kast do të jetë edhe aktorja Andrea Riseborough.

Skenarin e ka shkruar Nathaniel Halpern, dhe prodhimin e udhëheq Emma Watts, ish-drejtuese e studios Paramount.

Studioja e përshkruan projektin si “një histori tronditëse me fantazma, e vendosur në Londrën e Dickensit, që ndjek udhëtimin mbinatyror të një burri për t’u përballur me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij, në kërkim të një shansi të dytë”.

Depp do të luajë rolin e Ebenezer Scrooge, një zgjedhje simbolike që reflekton rikthimin e tij pas një periudhe të vështirë personale dhe profesionale.

Dikur një nga yjet më të mëdhenj të kinemasë me role në Pirates of the Caribbean, Alice in Wonderland dhe Charlie and the Chocolate Factory, Depp u largua nga Hollywoodi pas skandaleve dhe gjyqeve publike.

Më 2020 ai u shkarkua nga seria Fantastic Beasts e “Warner Bros.” dhe më vonë u përqendrua në projekte evropiane, përfshirë filmin Jeanne du Barry.

Në Festivalin e Kanës më 2023, aktori deklaroi: “Nuk ndihem i bojkotuar nga Hollywoodi — thjesht nuk mendoj më për të.”

Filmi “Ebenezer” vjen pas projektit të tij tjetër, thrillerit Day Drinker të prodhuar nga Lionsgate, që pritet të dalë gjithashtu në vitin 2026.

Sipas raportimeve, paketa “Depp–West” u konsiderua “tërheqëse për t’u refuzuar”, duke shënuar rikthimin e plotë të Depp në Hollywood. /A.Z/UBT News/

 

 

Exit mobile version