Stilisti britanik John Galliano nuk do të jetë më pjesë e ekspozitës së planifikuar në Metropolitan Museum of Art, në kuadër të Met Gala-s, pas reagimeve të shumta lidhur me vendimin për ta nderuar atë.
Sipas CNN, Galliano vendosi të tërhiqet nga ekspozita pas kritikave të forta që pasuan njoftimin e muzeut dhe Anna Wintour për përfshirjen e tij në aktivitetin e ardhshëm.
Galliano u shkarkua nga Dior në vitin 2011, pasi u publikuan video ku ai bëri deklarata antisemite, përfshirë edhe shprehjen “I love Hitler”, si dhe ofendime ndaj personave në një kafene në Paris. Ai më pas u shpall fajtor për “fyerje publike” të bazuara në origjinë, fe, racë apo përkatësi etnike.
Polemikat u shtuan edhe për shkak se Met Gala e vitit të ardhshëm përkon me Yom HaShoah, ditën e përkujtimit të Holokaustit.
Në deklaratën e tij, Galliano tha se, pas reflektimit dhe diskutimeve me të gjithë të përfshirët, kishte arritur në përfundimin se ishte më mirë që ekspozita të mos zhvillohej në këtë moment.
Ai pranoi përgjegjësinë për deklaratat e tij të së kaluarës dhe kërkoi falje për dhimbjen që u ka shkaktuar komuniteteve hebraike dhe aziatike.
Ekspozita, e titulluar “John Galliano: Horizons”, ishte planifikuar të trajtonte raportin mes arritjeve artistike dhe përgjegjësisë etike të stilistit.
Edhe kuratori i Institutit të Kostumeve të Met, Andrew Bolton, mbështeti vendimin për anulimin e ekspozitës, duke thënë se e kupton dhimbjen dhe shqetësimin që projekti kishte shkaktuar.
Ndërkohë, Anna Wintour e cilësoi tërheqjen e Gallianos si një vendim “shumë të guximshëm”.
Galliano konsiderohet një prej stilistëve më me ndikim të gjeneratës së tij dhe dizajnet e tij kanë fituar status kult në botën e modës. Ai do të ishte vetëm stilisti i tretë ende gjallë që do të nderohej me një retrospektivë në Met.
Rasti ka rikthyer në vëmendje edhe debatet e vazhdueshme mbi ndarjen mes meritës artistike dhe përgjegjësisë personale të figurave publike.
D.L
Burimi: CNN
